Ngrohja

Zakonisht ngrohjet qendrore të programuara e kanë mundësinë e kufizimit të temperaturës përmes termostatit, por një numër i madh nuk e kanë edhe mundësinë e rregullimit të temperaturës përgjatë intervaleve të ndryshme kohore, në hapësira të ndryshme. Një modifikim i tillë mund të bëhet me një investim të vogël e që do të mund të kursente mjaft shumë në kuptimin e sasisë së energjisë së shpenzuar, por edhe të vlerës financiare të faturës tuaj mujore.

Thënë qartë, me këtë investim do të parandalonim:

  • Ngrohjen në temperatura të larta dhe të panevojshme
  • Ngrohjen e hapësirave të caktuara ku nuk ka nevojë
  • Ngrohjen në kohë/intervale të caktuara, atëherë kur nuk na nevojitet
  • Shpenzimin e panevojshëm të energjisë
  • Fatura të larta mujore.

Këto janë modifikimet që mund t’i bëni në sistemin aktual të ngrohjes qendrore, si dhe përfitimet konkrete nga këto modifikime.

  1. Vendosni në kaldajën tuaj qendrore një ndërprerësi kohor (wifi, digjital apo mekanik), në mënyrë që kaldaja juaj të fiket tërësisht atëherë kur nuk keni nevojë. Këtë mund ta bëni në intervale të shkurtra gjatë natës apo edhe një pjesë të madhe të ditës kur nuk jeni në shtëpi.
  2. Zëvendësoni (shtoni edhe një) rregulluesin e temperaturës në kaldajën qendrore me një rregullues që mund të kontrollojë temperaturën në intervale të ndryshme kohore. Sikurse në pikën një, porse tani mund ta lini ndezur kaldajën, por me një temperaturë tërësisht të kontrolluar apo minimale (rregullues me wifi apo digjital).
  3. Zëvendësoni valvulat (konvencionale apo valvulat sasiore) në radiatorët tuaj me valvula të kontrolluara sipas temperaturës së dhomës në mënyrë që të keni temperaturë të ndryshme në dhoma të ndryshme ( dhoma e ditës, korridoret, dhomat e gjumit, dhomat e punës) jo gjithherë kanë nevojë për temperaturë të njëjta.

Duke pasur parasysh edhe aspektet e tarifave të lira dhe të shtrenjta, secili nga ne me një përkushtim dhe duke bërë modifikimet si më lart, do të mund të kemi një ngrohje komode dhe njëkohësisht të kursejmë deri në 30% te energjisë elektrike.          

Si mund të operojmë me një mekanizëm të tillë?

Nëse e programoni temperaturën e hapësirave tuaja të caktuara sipas kohës së caktuar, duke pasur parasysh edhe tarifat ditë-natë, gjithsesi duke u munduar që hapësira ku ju rrini të ketë temperaturë të rehatshme, ju do të mund të kurseni mbi 30 % të shpenzimeve tuaja mujore për ngrohje.

Këshilla të tjera

  • Temperatura e rehatshme e dhomës gjatë dimrit parashihet të jetë 18 deri më 21 gradë.
  • Radiatorët apo nxemset tuaja duhet t’i mbani në temperaturë konstante dhe mos i përdorni ata në dhomat apo zyret që nuk i shfrytëzoni.
  • Mbani dyert e dhomës apo zyrës tuaj mbyllur për ruajtjen e nxehtësisë.
  • Para se të flini, zvogëloni temperaturën e termostatit, sepse është më e shëndetshme dhe do të kurseni energji elektrike.