Përgatitja e ushqimit 

  • Gjatë zierjes përshtatni temperaturën adekuate, vini kapakun tenxheres për ta ruajtur nxehtësinë dhe kështu koha e zierjes do të shkurtohet.
  • Përdorni enë fundi i të cilave është në madhësi të pllakës së stufës, ose enë fundi i të cilave është pak më e madhe se pllaka e stufës.
  • Përdorimi i enëve ekspres për zierje me avull shpejton zierjen dhe është më ekonomik.
  • Gjatë përgatitjes së ushqimit në furrë, duhet ta dini se çdo hapje e derës së furrës zbret temperaturën rreth 15°C. 
  • Para se të përfundojë zierja 2 - 3 minuta, ndaleni pllakën, apo 5 - 10 minuta para se të përfundojë pjekja ndaleni furrën, sepse me këtë veprim do të kurseni energji elektrike.

Rrobalarësja

  • Mënyra e parë e kursimit është përdorimi më i madh i pajisjeve elektroshtëpiake gjatë tarifës së ulët.
  • Makinat vendosni në vende të thata e kurrsesi në vende me lagështi, sepse lagështia përçon rrymën dhe paraqet rrezik, gjithashtu kontrolloni a janë në rregull telat e rrymës, kabllot, spinat. Po ashtu kujdesuni që gypat për marrjen dhe zbrazjen e ujit të jenë të vendosura mirë.
  • Preferohet që çdo herë makinat larëse t’i mbushni plot para se t’i lëshoni në përdorim, por nëse makina është gjysmë e mbushur, atëherë përdorni programin ekonomik. Shpenzimi i energjisë elektrike është i njëjtë qoftë me ngarkesë të plotë, qoftë me gjysmë ngarkesë.
  • Makina e rrobave shpenzon energji elektrike për të ngrohur ujin. Nëse e njëjta pajisje i lan rrobat me ujë të ftohtë kjo do të reduktojë koston e shpenzimeve të energjisë elektrike.

Enëlarësja

  • Nëse keni vendosur të blini makinë të re për larjen e enëve, makinë për larjen apo tharjen e rrobave, atëherë orientohuni në produkte më cilësore dhe më ekonomike, shikoni udhëzimin e prodhuesit ku janë të shkruara karakteristikat kryesore dhe pastaj vendosni cila është më ekonomike.
  • Vendosjen e enëlarëses bëjeni në vende të thata e kurrsesi në vende me lagështi. Gjithashtu kujdesuni që gypat për marrjen dhe zbrazjen e ujit të jenë të vendosur mirë.

Frigoriferi

  • Në shtëpi frigoriferin mbajeni larg pajisjeve që lirojnë nxehtësi, mbajeni atë në vendin më të ftohtë në shtëpi, kështu kujdeseni që temperaturat e ulëta të qëndrojnë konstant.
  • Përpara se të fusni ushqimin në frigorifer, lëreni të ftohet, ushqimi i nxehtë kërkon më shumë energji elektrike për t’u ngrirë.
  • Mos lejoni lagështi në frigorifer, mbuloni enët e ushqimit, pastroni pikat e ujit nga të gjitha enët dhe shishet që i vendosni në të.
  • Mos lejoni të formohet trashësi e akullit në frigorifer dhe ngrirës, shkrini dhe pastroni ato, sepse do të jenë më efektiv dhe më ekonomik.
  • Derën e frigoriferit apo të ngrirësit mbani të hapur sa më pak që është e mundur dhe bëhuni të kujdesshëm që dera të jetë mirë e mbyllur, sepse depërton ajri i ngrohtë dhe humbet freskia, kështu që atyre ju duhet më shumë kohë për të rikthyer gjendjen paraprake.

Ndriçimi

  •  Zgjidhni poçat e duhur. Llambat LED janë më efiçiente për përdorimin e energjisë elektrike. Ata përdorin 75% më pak energji elektrike sesa llambat inkandeshente dhe zgjasin 25 herë më shumë;
  •  Instaloni sensorë automatikë që funksionojnë me detektim të lëvizjes për ndriçimin e jashtëm;
  • Mënyra më e mirë për të filluar të kurseni energji elektrike është të fikni dritat në dhomat që nuk i shfrytëzoni;
  • Është gjithashtu e rëndësishme të keni dritë të mjaftueshme në dhomë, as më shumë e as më pak, provoni të keni shpërndarje të barabartë të dritës;
  • Hapni roletat apo perdet e dritareve për të lejuar dritën e diellit të hyjë brenda, ndonjëherë drita e diellit mund të ndriçojë më shumë se llambat e zakonshme;
  • Pastroni pluhurin nga poçat elektrik. Sa më i pastër poçi, aq më shumë dritë përhap në dhomë;
  • Kur jeni duke lexuar në një vend të veçantë ndriçoni vetëm vendin që ju duhet duke e përdorur një llambë tavoline, në vend që të ndriçoni të gjithë dhomën.