Mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve, ruajtja e mjedisit, këshillimi i konsumatorëve dhe administrimi efikas i energjisë, janë pjesë e strategjisë së biznesit të kompanisë, që janë zbatuar përmes sistemeve të menaxhimit në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Të vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe ndikimin e shërbimeve tona në mjedis, ne ndërmarrim në vazhdimësi aktivitete për ta ruajtur mjedisin, konsumatorët dhe punëtorët tanë. Siguria është prioriteti ynë parësor sot dhe çdo ditë. Energjia elektrike është një pjesë thelbësore e jetës së përditshme dhe rritja e vetëdijes për sigurinë rreth energjisë elektrike është një pjesë integrale e komunikimit tonë.
Përkushtimin tonë për siguri e dëshmojmë në këto mënyra:
- Përgatisim në vazhdimësi kampanja të ndryshme për konsumatorët për t’i edukuar ata rreth sigurisë nga energjia elektrike;
- Kërkojmë në vazhdimësi forma të ndryshme për përmirësimin dhe avancimin e performancës së sigurisë në punë dhe mbrojtjes së ambientit;
- Trajnojmë në baza të rregullta punëtorët e KEDS-it nga aspekti i sigurisë në punë dhe mbrojtjen e ambientit;
- Në të gjitha planifikimet, programet dhe aktivitetet e kompanisë, përfshijmë edhe sferën e sigurisë në punë dhe mbrojtjen e ambientit, si dhe
- Krijojmë raporte transparente dhe konstruktive me punëtorët e kompanive kontraktuese, po ashtu edhe me konsumatorët tanë për sigurinë në përgjithësi.
Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se tensioni elektrik furnizues për bizneset dhe shtëpitë tona është mjaft i lartë për të shkaktuar lëndime serioze, që edhe mund të përfundojnë në mënyrë fatale. Madje, edhe ndërrimi i një poçi të thjeshtë pa e ndalur siguresën mund të jetë i rrezikshëm, sepse ardhja në kontakt me pjesën e ‘nxehtë’ të poçit mund të përcjellë energji të mjaftueshme për të lënduar rëndë, madje me pasoja vdekjeprurëse. Të gjitha sistemet elektrike kanë potencialin të shkaktojnë dëme/lëndime. Në mënyrë që të jemi të sigurtë dhe të dimë si të mbrohemi nga rreziqet që mund të shkaktojë energjia elektrike, është e rëndësishme të informohemi se si të jemi të kujdesshëm në ato raste kur jemi pranë, apo në kontakt me energjinë elektrike.
Me qëllim të informimit të konsumatorëve për rreziqet që mund të shkaktojë energjia elektrike, KEDS ju ofron udhëzime dhe këshilla se si duhet të mbrohemi në këto raste.