Këshilla për siguri për fëmijët
Objektet e ndryshme të energjisë elektrike mund të jenë tërheqëse për fëmijët, por është shumë e rëndësishme që fëmijët t’i dinë rreziqet që mund t’u kanosen duke luajtur në afërsi të këtyre objekteve. Energjia elektrike nëse nuk preket, nuk është e rrezikshme, por mund të jetë fatale nëse bie në kontakt me të. Nëse jeni duke luajtur jashtë, kurrë mos u afroni afër objekteve/pajisjeve elektrike.
- Asnjëherë mos i vendosni gishtat ose objektet tjera në një prizë.
- Qëndroni larg nga nënstacionet dhe linjat e energjisë.
- Mos u ngjitni në shtyllat e energjisë elektrike.
- Asnjëherë mos i përdorni fluturaket afër linjave të energjisë elektrike.
- Asnjëherë mos i prekni ose ngjitni pemët që janë afër linjave të energjisë elektrike.
- Mos u ngjitni në rrethoja rreth nënstacioneve elektrike.
- Asnjëherë mos luani lojëra me top afër një trafostacioni apo shtyllë elektrike. Nëse ju bie topi apo diçka tjetër brenda rrethojave të trafostacionit, mos provoni t’i merrni ato vetë, madje edhe nëse ju duket fare e lehtë;
- Mos provoni t’i tërhiqni me ndonjë mjet, qoftë edhe me një shkop;
- Asnjëherë mos iu afroni një nënstacion elektrik për ndonjë arsye. Nëse një kafshë shtëpiake është futur brenda rrethojave, mos u përpiqni ta largoni vetë, telefononi prindin/kujdestarin tuaj apo kompaninë tonë;
- Gjatë stuhisë, nëse nuk mund të hyni brenda, atëherë shtrihuni përtokë. Gjëja më e rëndësishme që të mbani në mend gjatë stuhisë, është t’iu shmangeni drurëve të lartë, objekteve të larta dhe të metalta;
Nëse ndonjë lodër, fluturake apo aeroplan letre është varur në shtyllën elektrike, atëherë:
- Largohuni dhe mos e prekni lidhësen (spangon) e lodrës,
- Gjithashtu lidhësen mos e largoni nga përçuesit e shtyllës elektrike;
- Jini të vëmendshëm edhe për të tjerët përreth;
- Nëse lidhësja e lodrës rri e varur në shtyllë, atëherë edhe fëmijët e tjerë mund të lëndohen, madje mund t’u rrezikohet edhe jeta;
Lajmërohuni në numrat tonë të telefonit 0800 791 00 dhe ne do ta largojmë atë.