20 trafostacione të KEDS shndërrohen në vepra arti në Prishtinë
Arti si forma më e rëndësishme e civilizimit njerëzor kurrë nuk ka njohur kufij dhe kjo është dëshmuar me qindra herë përgjatë historisë. Artistët kanë krijuar veprat e tyre të jashtëzakonshme në rrethana të ndryshme dhe në objekte të ndryshme kështu duke revolucionarizuar mënyrën e të bërit art.
Edhe KEDS këtë herë ka ndërmarrë një aktivitet të veçantë dhe pak më ndryshe se të tjerët, pra ka iniciuar dhe mbështetur projektin Art n'trafo, projekt ky që ka transformuar 20 trafostacione të KEDS në vepra arti, në gjithë qytetin e Prishtinës.
Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, dhe organizatën e artistëve Q’art. Të gjitha palët e përfshira kanë mbështetur artistët vendor dhe ata ndërkombëtarë në realizimin me sukses të një projekti të tillë.
Qëllimi i këtij projektit është që trafostacionet të marrin një pamje më të këndshme dhe të shndërrohen në objekte urbane, duke i dhënë ngjyra dhe jetë lagjeve ku ato janë të vendosura.
Pra me idenë që këto objekte të jenë hapësira ku artistët e rinj shprehin imagjinatën e tyre, duke mbështetur kauza të ndryshme aktuale qoftë ne vend apo botë.
Iniciativa të tilla për pikturimin e trafostacioneve janë ndërmarrë edhe më parë. Projekte të tilla janë zhvilluar edhe para disa muajve ku janë ngjyrosur dhe pikturuar disa trafo, duke ndikuar direkt në modernitetin përmes pamjeve urbane që ofrojnë.
KEDS, duke qenë pjesë e këtyre projekteve, shpreh vendosmërinë dhe gatishmërinë që të luajë rol të madh edhe në aktivitetet e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës, që ndikojnë direkt në kualitetin e jetës së komunitetit.