Afro njëqind trafo në Veternik me kapacitete të dyfishuara-konvertohen nga 10kV në 20kV
Qindra biznese të Prishtinës, të vendosura në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, tashmë kanë rrjet elektrik komplet të ri të tensionit të mesëm. Në Zonën Industriale të kryeqytetit, ku kanë selitë disa nga bizneset më të mëdha në vend, KEDS po bën investim kapital përmes dyfishimit të kapaciteteve të rrjetit të shpërndarjes.
Daljet nga Nënstacioni Prishtina 7 po shndërrohen nga 10kV në 20kV, dhe përshkojnë një trajektore të gjatë mbi 10 kilometra. Shumica e trafove tashmë janë konvertuar, ndërkaq edhe pjesa e mbetur pritet që së shpejti të konvertohet me të njëjtin kapacitet. Ditë më parë janë konvertuar 50 trafo të tilla, ndërkaq gjatë ditës së djeshme janë konvertuar 30 sosh. Gjatë ditëve në vijim mbyllet cikli i konvertimit të trafove në atë pjesë me rreth 20 trafo të tjera.
Ky investim i KEDS-it parashihet të ketë ndikim direkt në ekonominë e vendit, meqë biznese të shumta të shtrira në atë pjesë do të kenë shërbime dukshëm më kualitative dhe më të sigurta.
Për më tepër, ky projekt kontribuon në rritjen e sigurisë së rrjetit elektrik, duke siguruar që infrastruktura e furnizimit me energji elektrike të jetë e qëndrueshme dhe në gjendje të përballojë kërkesat në rritje për energji në këtë zonë.
KEDS, që nga fillimi i operimeve, në vazhdimësi ka investuar pos mijëra projekteve për konsumatorët shtëpiakë, edhe në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes në zonat ku janë të vendosura bizneset.
Në rajonin e Prishtinës po implementohen dhjetëra projekte të rëndësishme për përmirësimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, ndërkaq në mbarë Kosovën përgjatë këtij viti pritet realizimi i 250 projekteve, aq sa e parasheh plani investiv.