Qasja ndaj krizës energjetike duhet të jetë pro aktive nga të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në zbutjen apo eliminimin e pasojave, pasi të gjithë ne jemi konsumues të energjisë elektrike dhe duhet të kontribuojmë që kjo krizë të ketë sa më pak efekte negative në ekonominë e vendit tonë.

Kontributi mund të jepet nga të gjithë akterët e përfshirë në institucione, biznese e industri, por dhe nga konsumatorët shtëpiak në përgjithësi.

UDHËZIMI I PARË

Si udhëzim parësor për secilin konsumator, individual apo biznesor është që maksimalisht ta ulim konsumin e panevojshëm dhe ta racionalizojmë atë, e kjo do ta kursejë jo vetëm energjinë, por do të arrijë që shpenzimet nga buxheti personal apo të biznesit të zvogëlohen për aq sa kursehet energjia.

Kjo në afat të gjatë do të krijojë mjete financiare shtesë për biznesin apo buxhetin individual, që ata t’i orientojnë këto mjete diku tjetër. Mund të duken kursime të vogla, por në periudhë afatgjatë kjo shumë shkon duke u rritur.

Me pak kujdes dhe përkushtim, çdo konsumator mund të kursejë 5 deri 10% të energjisë mujore, në dy sezonet tarifore, vjetore (verë-dimër) dhe ditore (ditë-natë).

Meqë niveli total i konsumit të energjisë elektrike në Kosovë gjatë sezonit të verës është rreth 600-800MWh, nëse secili konsumator kursen 5 deri 10% të shpenzimeve të tij të energjisë elektrike, do të kurseheshin 30 deri 80MWh, ndërsa në sezonin e dimrit, kur niveli i konsumit shkon mbi 1300MWh, kursimi do të arrinte nga 60 deri 130MWh.

Kjo situatë mund të duket si idealiste për t’u realizuar, por arritja e këtij niveli të kursimit varet shumë nga angazhimi publik i secilit nga ne, në nivelet brenda ndërmarrjes dhe në shoqërinë e gjerë.

UDHËZIMI I DYTË

Udhëzimi i dytë, për kah rëndësia, ka të bëjë me qasjen racionale, në aspektin kohor, ndaj konsumit të energjisë. Kjo mund të shfrytëzohet maksimalisht edhe nga bizneset dhe individët.

Orientimi dhe përqendrimi që konsumin maksimal ta kemi pas orës 23:00 mund të arrihet në këtë mënyrë:

  1. Bizneset prodhuese mund të orientohen që kapacitetet prodhuese t’i vënë në funksion pas orës 23:00 deri në ora 8:00, në ditën në vazhdim. Kjo ngase në botë kemi shumë shembuj të plot vijave prodhimi që funksionojnë edhe në tri turne, e në këtë rast ideja është fokusimi në turnin e tretë. Shtrohet pyetja, sa është rritja e kostove për ndryshim të orarit, pasi në ndërrimin e tretë, bazuar në ligje, pagesa e orarit të punës është 130%, apo 30% më shumë. Ky shpenzim shtesë mund të mbulohet nga çmimin më i ulët i tarifës së natës për energji, e cila është rreth 30% më e ulët për biznese. Kjo mënyrë e shfrytëzimit të të njëjtit konsum, por në orare kur ngarkesa është shumë më e ulët, do të kontribuonte në balancimin e ngarkesës momentale në rrjetin shpërndarës energjetik dhe në sigurinë me furnizim sa më efektiv në kohën e “pikut” (ngarkesës maksimale). Kjo mënyrë ofron siguri edhe për kryerjen e aktiviteteve prodhuese të bizneseve.
  2. Te konsumatorët individual, mund të zbatohet e njëjta strategji. Konsumi i energjisë pas orës 23:00 (tarifa e lirë gjatë verës) të aplikohet te konsumi i ngrohjes së ujit në banjë, pastrimi i rrobave me rrobalarëse, akumulimi i energjisë për ngrohje përmes termove akumulueseve. Edhe te kjo metodë arrihet kursimi i energjisë, si dhe kursimi i buxhetit familjar, pasi që energjia është rreth 55% më e lirë pas orës 23:00. Kursimi i buxhetit është në përqindje të lartë dhe është arsye mjaft e qëndrueshme se pse duhet të kursehet energjia.

Ndriçimi publik nëpër lagje periferike dhe nëpër fshatra, diku deri në 70% e ndriçimit, mund të zhvendosej për dy orë më vonë, varësisht se si konsiderohet më e përshtatshme për lagjen përkatëse.  Sipas statistikave të faturimit, ndriçimi publik në mbarë Kosovën shpenzon rreth 10MWh. Nëse do ta zhvendosnim në aspektin kohor 70% të ndriçimit, kjo do ta zvogëlonte ngarkesën momentale për 7MWh dhe për dy orë do të kurseheshin 14MWh.

UDHËZIMI I TRETË

Udhëzimi i tretë, ka të bëjë me përdoruesit ilegal të cilat po ashtu shtojnë një nivel të pamatshëm të konsumit në kompanitë energjetike. Kjo dukuri e kyçjeve ilegale e ashpërson edhe më shumën krizën energjetike vendore.

Është e rëndësishme të kuptohet që vjedhja apo keqshfrytëzimi i energjisë elektrike mund të ketë pasoja fatale për kryerësin e krimit. Më e keqja është se ky aktivitet ilegal është shumë i rrezikshëm për të gjithë konsumatorët në përgjithësi, dhe sidomos për ata që janë të kyçur me të njëjtin trafostacion apo linjë me keq-shfrytëzuesit e energjisë elektrike.

Kjo, sepse çdo kyçje ilegale është e paparashikuar për nga kapaciteti që do të përdoret dhe mund ta mbingarkojë një linjë apo dalje dhe të shkaktojë dëme në infrastrukturën energjetike.

Për të adresuar problemin e keq-shfrytëzimit të energjisë elektrike, nevojitet bashkëpunim edhe më i intensifikuar me organet e rendit, njësinë speciale dhe gjygjësorin, në mënyrë që të reagohet sa më parë për dënimin ndaj çdo konsumatori që e keqpërdor energjinë elektrike.

Gjithsesi, zbulimi dhe raportimi i këtyre rasteve bëhet edhe me bashkëpunimin e konsumatorëve të përgjegjshëm të energjisë elektrike, të cilët nëse vërejnë raste të dyshimta mund të raportojnë në e-mail adresën info@keds-energy.com, contactcenter@kesco-energy.com, në numrin pa pagesë të Qendrës së Thirrjes 0800 791 00 apo edhe në rrjetet sociale të kompanisë. Çdo raportim mbetet anonim dhe trajtohet me besueshmëri të plotë.

Edhe këto masa të lartshënuara, do të ndikonin në identifikimin e kWh të harxhuar ilegalisht dhe si pasojë e kësaj në zvogëlimin e konsumit të përgjithshëm te energjisë.

Si përfundim i gjithë këtij shkrimi, duhet të jetë zvogëlimi i efekteve negative në ekonominë e vendit dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Suksesi i çdo ideje apo iniciative që të kursehet energjia elektrike arrihet me angazhim dhe vullnet të të gjithëve për zbutjen apo edhe tejkalimin e krizës energjetike, që është edhe globale, dhe adresimi i saj mbetet interes i përgjithshëm.