
Kampanja e re e KEDS-it kundër keqpërdorimit të energjisë elektrike: vjedhja e rrymës t’len pa rrymë
Keqpërdorimi i energjisë elektrike vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues në shoqërinë tonë, meqë një numër i caktuar i konsumatorëve e konsumojnë atë në mënyrë ilegale, çka po ndikon negativisht jo vetëm në cilësinë e furnizimit me energji elektrike, por edhe në sigurinë dhe stabilitetin e rrjetit energjetik.
KEDS, përmes fushatës “Vjedhja e rrymës t’len pa rryme”, synon të nxisë vetëdijen qytetare mbi dëmet që shkakton ky keqpërdorim dhe të inkurajojë konsumatorët të kontribuojnë për një sistem të drejtë dhe të sigurt furnizimi.
Pse është e dëmshme vjedhja e rrymës?
1. Ngarkesa në rrjet-transformator
Kur ndodh vjedhja e rrymës, transformatorët dhe infrastruktura e rrjetit energjetik përballen me një ngarkesë të paparashikuar. Kjo shtesë e paautorizuar e ngarkesës shkakton presion të madh mbi sistemin, duke ulur ndjeshëm performancën dhe qëndrueshmërinë e tij.
2. Dëmtimi i transformatorit dhe i aseteve elektroenergjetike
Mbingarkesa e shkaktuar nga vjedhja mund të dëmtojë komponentët kyç, si transformatorët ose asetet e tjera elektroenergjetike. Dëmtimet e tilla në transformatorë jo vetëm që rrisin koston e riparimeve dhe zëvendësimeve, por gjithashtu mund të shkaktojnë ndërprerje të furnizimit për atë grup konsumatorësh deri në riparimin e tyre.
3. Rënia e tensionit në rrjet – furnizim i pamjaftueshëm
Keqpërdorimi i rrymës shpesh çon në rënie të tensionit në rrjet, duke u pasuar nga furnizim i dobët dhe i parregullt me energji elektrike. Për pasojë, pajisjet elektrike mund të mos funksionojnë si duhet ose mund të dëmtohen.
4. Rrezikshmëria e lartë
Vjedhja e rrymës përmes lidhjeve të paautorizuara është jashtëzakonisht e rrezikshme. Instalimet e paligjshme direkt në rrjet, duke anashkaluar njehsorin elektrik, mund të çojnë në shpërthim zjarresh, goditje elektrike dhe rrezik për jetën e keqpërdoruesit, banorëve afër dhe dëmtim të ambientit përreth. Përveç kësaj, ato shkelin normat bazë të sigurisë.
5. Pasojat juridike
Ligji i ndëshkon rreptë keqpërdoruesit e energjisë elektrike. Përveç Rikthimit të Humbjeve, si pasojë e parë që ka implikime financiare, ata mund të përballen edhe me ndëshkime penale, duke përfshirë ndjekjen ligjore dhe shkyçje nga rrjeti elektrik shpërndarës. Neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës e cilëson vjedhjen e energjisë elektrike si “Vjedhje të Shërbimeve”, çka sipas të njëjtit nen është e dënueshme me gjobë ose me burg deri në tri vjet.
Si mund të ndihmojmë në luftimin e këtij fenomeni shqetësues?
Për të luftuar vjedhjen e rrymës dhe për të siguruar një furnizim të drejtë dhe të vazhdueshëm me energji elektrike, është e nevojshme që secili prej nesh të kontribuojë duke:
- Raportuar për keqpërdorimet e energjisë elektrike sipas kanaleve.
- U ndërgjegjësuar mbi pasojat e vjedhjes së rrymës për vetë keqpërdoruesit dhe të tjerët përreth.
- Respektuar rregullat dhe normat e përdorimit legal të energjisë elektrike.
Furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike bëhet akoma më i sigurt kur të gjithë ne përkujdesemi ta konsumojmë atë në mënyrë legale dhe të bashkëpunojmë me akterët përkatës duke raportuar rastet e dyshimta të keqpërdorimit të energjisë elektrike.
Le të mbrojmë bashkë rrjetin tonë energjetik, duke i thënë JO keqpërdorimit të energjisë elektrike. KEDS është dhe vazhdon të jetë i pakompromis ndaj të gjithë atyre që e vjedhin rrymën.
Vjedhja e rrymës t’len pa rrymë!