
KEDS Academy-aty ku fillon rrugëtimi drejt suksesit
Që nga themelimi i saj në vitin 2013, KEDS Academy ka qenë dhe vazhdon të mbetet një pikë referimi për zhvillimin profesional të të rinjve në sektorin energjetik të Kosovës. Programi është krijuar për të ofruar njohuri teorike dhe praktike për nxënësit dhe studentët, duke i përgatitur ata për sfidat e tregut të punës, duke kontribuuar në ndërtimin e kapaciteteve profesionale të qëndrueshme për sektorin energjetik në vend.
Deri më tash, 800 pjesëmarrës kanë përfunduar me sukses programin, duke ndjekur një rrugëtim të veçantë që kombinon teorinë me praktikën. Ajo që e bën këtë program edhe më të veçantë është fakti se më shumë se gjysma e të diplomuarve, ose 54% e tyre, janë punësuar në KEDS dhe në KESCO, duke mbajtur jo vetëm pozita teknike, por edhe menaxheriale. Kjo është një dëshmi e qartë e cilësisë së lartë të trajnimeve dhe përkushtimit të kompanisë për zhvillimin e burimeve njerëzore vendore.
Programi, si i tillë, përveçse trajnon dhe aftëson të rinjtë e Kosovës, duke i përgatitur për tregun e punës, gjithnjë duke plotësuar nevojat për burime njerëzore- të aftë dhe të përkushtuar në sektorin energjetik-përfshin module që mbulojnë aspektet teknike e profesionale të energjetikës. Kjo ndihmon në rritjen e kapaciteteve të sektorit për t’iu dedikuar ekskluzivisht fushës operacionale-energjetike dhe për të ofruar shërbime të qëndrueshme për konsumatorët.
Pikërisht përmes kësaj qasjeje gjithëpërfshirëse, KEDS Academy po vazhdon të formësojë gjenerata të reja profesionistësh që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik në Kosovë.
Gjenerata e 12-të e KEDS Academy ka filluar me entuziazëm rrugëtimin e saj! Kjo gjeneratë përfshin një grup të përzgjedhur nxënësish dhe studentësh që kanë kaluar një proces rigoroz testimi dhe përzgjedhjeje. Ata po ndjekin një program gjithëpërfshirës që përfshin trajnime teorike dhe praktike, ligjërata nga ekspertë të fushës dhe vizita në terren për të mësuar nga afër rreth operacioneve të përditshme të KEDS-it.
Duke përfshirë trendet globale në mësimdhënie dhe në praktikë, programi i KEDS Academy ka treguar vazhdimisht përkushtim për përmirësim dhe inovacion. Me kalimin e viteve, ai ka integruar module të reja që adresojnë zhvillimet e fundit në industrinë energjetike, duke përfshirë fokusin edhe në energjinë e ripërtëritshme dhe proceset e qëndrueshme. Në bashkëpunim me universitete e qendra kërkimore prestigjioze, programi ofron një eksperiencë gjithëpërfshirëse që përgatit pjesëmarrësit për sfidat globale të sektorit.
Përveç kësaj, KEDS Academy është vlerësuar me disa çmime prestigjioze ndërkombëtare, duke përforcuar reputacionin e saj si një model edukimi dhe zhvillimi profesional-një arritje e veçantë që i jep një ndjenjë krenarie jo vetëm KEDS-it, por edhe gjithë Kosovës.
Me përfundimin e gjeneratës së 12-të, KEDS Academy vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për edukimin dhe fuqizimin e të rinjve, duke kontribuuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritshme dhe të qëndrueshme për sektorin energjetik të vendit.
Me punësimin e shumë të diplomuarve në KEDS dhe në KESCO, por edhe në tregun e lirë, programi, si i tillë, po ndihmon në uljen e papunësisë tek të rinjtë, gjithnjë duke ndikuar pozitivisht në ekonominë vendore.
Përtej kësaj, KEDS Academy është një urë e fuqishme mes arsimit dhe tregut të punës, duke e bërë sektorin energjetik të Kosovës më profesional, më inovativ dhe më të qëndrueshëm.