KEDS ACADEMY një storie suksesi
Që nga fillimi i operimeve të këtij programi, KEDS Academy çdo vit po vulos suksese mbi suksese. Në këto vite disa nga këta student tashmë kanë zënë pozita të rëndësishme në kompani, disa kanë fituar të drejtën për shkollim pasuniversitar në qendra të ndryshme evropiane, dhe katër studente kanë mbërri deri në Amerikë, ato kanë fituar bursë nga fondacioni Millenium Fondation Kosova, për programin e fuqizimit të femrave në sektorin e energjisë.
Ish-studentët, me pozita të rëndësishme në KEDS
Burimi, Drenusha, Bajrami, Alushi, janë disa nga ish- studentët të cilët tashmë kanë marrë pozita të rëndësishme në KEDS, dhe me këtë edhe përgjegjësi të reja dhe kanë arritur të bëjnë ndryshime brenda kompanisë.
Bajram Neshati-Menaxher për Analiza dhe Raportime ne Divizionin e Rrjetit
Bajrami, aktualisht kryen detyrën e Menaxherit për Analiza dhe Raportime në Divizionin e Rrjetit të KEDS-it.
Rrugëtimi i tij në korporatë starton nga viti 2014, konkretisht përmes programit të KEDS Academy ,dhe i takon gjeneratës së parë.“Punën praktike në KEDS e filluam së bashku me kolegët e tjerë të akademisë në vitin 2014 dhe 5 vite nga ajo kohë, tanimë jam ngritur edhe 3 herë në pozitë brenda KEDS, dhe këtu nuk duhet anashkaluar kontributin e njohurive nga trajnimet e programit të akademisë.
Me njohuritë akademike dhe post-studimore, njohuritë teorike-praktike nga programi i KEDS Academy dhe përvojën praktike për me tepër se 5 vite në KEDS tani e kam për detyrë përgatitjen e analizave respektive të rrjetit distributive të KEDS-it, si dhe përgatitjen e raportimeve që ndërlidhen me divizionin e rrjetit të kompanisë,” përfundon Bajrami.
Drenusha Gashi-inxhiniere në Departamentin Mbrojtje Rele dhe SCADA
Drenusha ka dy vite që punon si inxhiniere në Departamentin Mbrojtje Rele dhe SCADA. KEDS Academy ia ka hapur asaj dyert e karrierës profesionale. Drenusha ka mbërritur të jetë pjesë e projektit më të ri dhe njëkohësisht më të madh që po zhvillohet në KEDS- SCADA.
Kjo akademi ashtu siç m’i ka hapur mua dyert e karrierës profesionale në të njëjtën mënyrë besoj që një gjë të tillë do ta bëjë me të rinjtë e gjeneratave të ardhshme. Të qenurit pjesë e këtij departamenti më ka ndihmuar të rritem çdo ditë profesionalisht duke arritur të mësoj mjaftueshëm gjëra të që lidhen me operimin dhe funksionimin e duhur të sistemit shpërndarës. Kësaj rritje sigurisht se i ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë të qenurit pjesë e realizimit të projektit të rëndësishëm të sistemit SCADA. Ambienti bashkëpunues dhe të punuarit me njerëz profesionalë me të cilët ndajmë vizione të njëjta në punë janë dy nga shumë gjërat tjera për të cilat ndihem mjaft e lumtur që jam pjesë e kësaj kompanie, shprehet ajo.
Burim Islami-Menaxher në Zyrën për Siguri dhe Shëndet në Punë & Mjedis
Për Burimin, programet e praktikave siç është KEDS Academy, përmirësojnë punësimin e studentëve, rezultatet akademike dhe orientimin në karrierë. Si menaxher, ai mundohet të inkurajojë duke demonstruar pasion dhe pozitivitet për punën që bën. Edhe Burimi, i takon gjeneratës së parë të KEDS Academy , kurse tani mban pozitën Menaxher në Zyrën Siguria dhe Shëndeti në Punë& Mjedis. “Kjo gjë ka ndodhur edhe me ne, konkretisht me mua si pjesë e këtij programi. Pas përzgjedhjes vazhdova të punoj me shumë përkushtim në punë dhe sukseset nuk munguan. Falë përkushtimit, përkrahjes dhe sukseseve, nuk vonoi shumë dhe u avancova së pari në pozitën udhëheqës dhe pastaj Menaxher për Siguri dhe Shëndet në Punë & Mjedis.
Misioni i ynë vazhdon me moton “Zero aksidente në punë”. Përgjegjësia është emocionuese dhe e këndshme. Kur të gjithë rreth jush ju shikojnë dhe janë të gatshëm të ndjekin udhëheqjen tuaj, është thjeshtë një nxitim drejt qëllimit.
Krijimi i një ambienti bashkëpunues ku të gjithë ndjehen të dëgjuar, respektuar dhe vlerësuar, është një hap kryesor për ne menaxherët e rinj. Të qenurit një ekip që punon së bashku, krijon një kulturë më të mirëpritur dhe më mbështetëse të kompanisë, ka thënë Burimi.”
Alush Mexhuani-UD i Menaxher në Departamentin e Sistemit të Operimit
Alushi i takon gjeneratës së tretë të KEDS Academy, dhe ai për sukseset e tij, ndër të tjera veçon ligjëratat nga profesorët e Universitetit Bogazici, pjesën praktike të programit dhe përvojën e stafit të kompanisë. “Edhe unë si pjesë e këtij programi kam përfituar njohuri të cilat janë duke më përcjellë edhe sot si i punësuar në
Departamentin e Sistemit të Operimit, konkretisht në pozitën Menaxher I Rrjetit. Tash që gjendem në një pozitë udhëheqëse shoh se sa shumë kemi përfituar nga programi i KEDS Academy.
Të gjitha mësimet e ndjekura dhe përvoja e marra gjatë programit të KEDS Academy nga individë të dëshmuar në pjesën e lideshipit, udhëheqjes, po mundohem që edhe unë këto këshilla t’i zbatojë dhe krijojë një mjedis të punës bashkëpunues, ku secili ndihet i vlerësuar dhe kupton peshën, rëndësinë që ka në raport me objektivat e njësisë dhe me objektivat e kompanisë në përgjithësi, ” përfundon Alushi.
Mësimet e marra gjatë periudhës së KEDS Academy kanë qenë bazë dhe për zhvillimin profesional të studentëve dhe shtysë për avancime dhe përvoja të reja në fushën e energjetikës.
Erza Rama dhe Fjolla Fazliu, ishstudente të KEDS Academy, janë duke studiuar në Amerikë, të cilat kanë fituar bursë nga Millenium Fondation Kosova, pjesë e fondeve të qeverisë amerikane. Studentet e KEDS Academy janë në mesin e 28 bursisteve nga krejt Kosova.
Albiona Lalinovci është një ndër bursistet e programit Women in Energy të lansuar nga MFK (Millenium Foundation Kosovo), që mbështet edukimin e gruas në fushën e energjisë elektrike. "Jam duke ndjekur programin Electro-Mechanical Technologies in Engineering me specializim në Power Plant Technology, ku po aftësohemi tutje në kontrollimin, operimin, testimin, riparimin dhe automatizimin e pajisjeve në këtë sistem."