Rrjeti elektrik komplet i ri ka plotësuar pamjen e fshatit të vogël, por shumë piktoresk të Ferizajt, Saraishtës. I shtrirë në një fushë kodrinore të gjelbëruar dhe të pastër, me rrugë dhe infrastrukturë përcjellëse komplet të re, të plotësuar edhe me shtyllat dhe përçuesit e rinj, fshati ka marrë pamjen e një lokaliteti evropian në të gjitha aspektet.

Projekt i linjës ajrore që me degëzimet e rrjetit nëpër rrugicat e fshatit që shtrihet shumë afër Ferizajt, arrin një gjatësi prej katër kilometrash. Aty tashmë është bërë vendosja e 80 shtyllave të reja të betonit të tensionit të mesëm dhe atij të ulët. Përpos këtyre është bërë edhe instalimi i një transformatori të ri e me kapacitet të mjaftueshëm të furnizimit me energji elektrike, si dhe një trafoshtyllë, 58 ormanë dhe stabilimente të tjera të nevojshme.

Vlera totale e këtij projekti është mbi 150 mijë euro, prej të cilit përfitojnë enkas afër 400 banorë sa numëron ky fshat. Saraishtasit janë shprehur mjaft të lumtur për këtë investim, që ka kompletuar infrastrukturën dhe do t’iu ofrojë atyre shërbime të kualitetit të lartë sa i përket distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike.

Projekti Saraishtë është vetëm njëri nga 21 projektet që KEDS po i implementon qytetin e Ferizajt. Në mbarë Kosovën, përgjatë këtij viti, sipas planit investiv, pritet të realizohen 250 projekte.