Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e javës së sigurisë dhe shëndetit në punë, sot, në ambientet e ndërtesës së KEDS-it në Distriktin e Ferizajt, u realizua me sukses një simulim i zjarrit në ndërtesë dhe hapat e nevojshëm për evakuim dhe kërkim-shpëtim.

Përveç punëtorëve të KEDS-it në këtë distrikt, të cilët në këtë rast ishin edhe protagonistë të këtij simulimi, morën pjesë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ekipit të Urgjencës së Ferizajt, zjarrfikësit lokalë dhe përfaqësues të institucioneve komunale, si dhe disa qytetarë të rastit.

Fillimisht u simulua një zjarr brenda objektit të KEDS-it, për çka Policia e Kosovës doli urgjentisht në vendin e ngjarjes, duke u pasuar me ardhjen e shpejtë edhe të zjarrfikësve dhe të Urgjencës së qytetit.

Krahas mobilizimit të zjarrit, zjarrfikësit realizuan edhe evakuimin dhe kërkim-shpëtimin e punëtorëve që supozohej se kishin ngelur brenda objektit, për t’i përcjell tek Urgjenca e më pastaj në spital.

Rrezart Dragusha, drejtor i Distriktit të KEDS-it në Ferizaj, përveçqë e vlerësoi këtë simulim të rëndësishëm për punëtorët e kompanisë, tha se prej tij mund të mësojnë edhe vetë qytetarët.

Në anën tjetër, Burim Islami, menaxher për shëndet, siguri dhe kujdes në KEDS, tha se ky aktivitet u realizua në kuadër të javës së sigurisë në punë, duke shpresuar se edhe kompanitë dhe institucionet e tjera të organizojnë diçka të ngjashme, meqë është e rëndësishme për sigurinë e punëtorëve.

“Kjo nuk është hera e parë që ne organizojmë aktivitete të tilla në institucione, qoftë këtu, qoftë në qytete tjera, duke përfshirë edhe Qendrën e Trajnimeve të KEDS-it, për çka falënderojmë Policinë e Kosovës, zjarrfikësit, Urgjencën, pa ndihmën dhe bashkëpunimin e të cilëve do të ishte vështirë të realizohen aktivitete si ky”, tha ai.

Edhe përfaqësues të Urgjencës së qytetit të Ferizajt u shprehën të gatshëm që të bashkëpunojnë me institucione dhe kompani kudo dhe kurdo që bëhet fjalë për ofrimin e ndihmës së parë në rast të rreziqeve të drejtpërdrejta që mund të ndodhin në raste të tilla.

Edhe gjatë viteve të kaluara, KEDS ka organizuar aktivitete të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke trajnuar dhe certifikuar secilin punëtor të terrenit, me moton: “zero aksidente në punë”.