KEDS po fut nën tokë komplet rrjetin te Shatërvani në Prizren
KEDS po vendos nën tokë të gjitha kabllot në qendër të Prizrenit. Ky megaprojekt që kap një kosto prej afro 800 mijë eurove, është në fazën finale të implementimit, duke bërë që pjesa historike e qytetit të dytë më të madh të vendit, të ketë pamjen që e meriton.
Për të transformuar komplet këtë strukturë të rrjetit distributiv, KEDS po fut nën tokë 32 mijë metra kabllo të tensionit të ulët dhe mbi 3 mijë metra kabllo të tensionit të mesëm. Aty përfshihen edhe dy trafostacione të reja dhe stabilimentet përcjellëse.
Pra, mbi 2,800 banorë të qendrës së Prizrenit, ku përfshihen edhe dhjetëra biznese, nuk do të shohin më kabllo të rrymës me sy.
Aty, gjithçka po vendoset në gypa nëntokësor, bazuar në një projekt të detajuar nga kompania, duke bërë që mbi tokë vizitorët e shumtë të shohin qendrën e vjetër historike, ndërsa nën tokë të jetë një rrjet ultra-modern, pra i fjalës së fundit të teknologjisë.
Punimet gjatë këtyre ditëve të nxehta verore janë duke u bërë me ritme të shpejta, ndërsa është shfrytëzuar rasti të kryhen paralel me projektin e komunës për restaurimin e Sheshit te Shatërvani.
Pas përfundimit të punimeve, nga ajo pjesë do të demolohet rrjeti i vjetër elektrik ,në mënyrë që vendi më i vizituar në Kosovë nga turistët e huaj, të ketë pamje të papenguar.
“Varrosja” e rrjetit distributiv në Prizren është në vazhdën e dhjetëra projekteve që ka realizuar KEDS deri me sot në pothuajse të gjitha qendrat e qyteteve të Kosovës, në mënyrë që të lirojë ato nga infrastruktura mbi tokë, në favor të asaj nëntokësore, pasi vlerësohet që lehtëson shumë punën e bizneseve dhe lëvizjet e njerëzve në hapësirat më të populluara dhe vizituara të vendit.
Kompania në 11 vjetët e saj të operimit, ka investuar rreth 230 milionë euro anekënd Kosovës, me qëllim të modernizimit të rrjetit të shpërndarjes dhe rritjes së kualitetit të shërbimeve.