KEDS po implementon megaprojektin në Lipjan-afro 130 mijë metra kabllo dhe 1000 shtylla të reja
KEDS është duke e implementuar një megaprojekt në Lipjan, që shtrihet në dhjetë fshatra të kësaj komune. Investimet aty tashmë janë në vlugun e tyre dhe deri në përfundim parashihet të arrijnë shifrën totale prej 2.6 milionë eurosh.
Nga ky investim gjigant përfitues janë mbi 8 mijë banorë të asaj ane, ku hyjnë lokalitetet që gjenden në brendi të trekëndëshit ndërmjet Aeroportit të Prishtinës, Kodrës së Goleshit dhe qytetit të Lipjanit, ku përfshihen Ribari i Madh, Topliqani, Gllogovci, Magurja, Dobraja e Vogël, Dobraja e Madhe, Puturovci, Torina, Shala, Petrova dhe vetë qyteti i Lipjanit.
KEDS aty po vendos 16 trafo të reja, afro 110 mijë metra kabllo të tensionit të ulët, afro 20 mijë metra kabllo të tensionit të mesëm dhe afro 1000 shtylla, duke e bërë këtë një nga projektet më të mëdha që ka kompania në implementim. Kabllot janë të kombinuara-një pjesë e tyre janë ajrore dhe një pjesë nëntokësore, që shtrihen përgjatë rrugës kryesore të këtyre fshatrave. E gjithë kjo infrastrukturë elektroenergjetike po vendoset komplet e re. Një pjesë e punimeve tashmë kanë përfunduar.
Konsumatorët nga ky megaprojekt do të marrin shërbime shumë më kualitative dhe të sigurta. Ky investim do ta përmirësojë nivelin e jetesës për më tepër se 15 për qind të popullatës së Lipjanit.
Ky investim është vetëm një nga shumë projektet që ka implementuar kompania në 11 vjetët e operimeve të saj në këtë komunë.
Lipjani është një nga qytetet me bumin më të madh të ndërtimeve, përderisa edhe KEDS po e përcjell këtë zhvillim me zgjerim të infrastrukturës elektroenergjetike, sikur duke e rinuar atë, pasi infrastruktura e trashëguar ishte në një gjendje aspak të mirë.
Aktualisht KEDS ka në implementim e sipër 250 projekte anekënd Kosovës, duke treguar vendosmërinë që rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike të jetë në nivele sa më të larta dhe të ofrojë shërbime sa më kualitative.