Projektin për kursim të energjisë elektrike KEDS po e zhvillon në shumë shkolla fillore nga të gjitha komunat e vendit.

Përderisa kemi mbajtur ligjërata në Gjilan, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë dhe qytete tjera, kësaj radhe ligjëratat për kursim, zyrtarët e KEDS i zhvilluan në shkollat “Ismail Qemali” dhe “Pavarësia” të kryeqytetit, ku edhe bënë shpërndarjen e broshurave me këshilla për kursimin e energjisë elektrike për nxënësit e klasave të IV-ta dhe V-ta.

Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, Mimoza Krasniqi, tha se këto ligjërata për kursimin e energjisë elektrike nga KEDS ishin shumë të rëndësishme. “Nxënësit sot morën informata bazike dhe shumë të vlefshme që edhe ata të kontribuojnë  dhe t’i praktikojnë këto këshilla kursimi në shkollë dhe shtëpi“. Ajo po ashtu falënderoi dhe përgëzoi KEDS-in për këtë iniciativë.  

Një tjetër falënderim për KEDS-in erdhi nga drejtori i shkollës “Pavarësia”, Shefki Rusinovci, i cili tha se kjo ligjëratë ishte shumë e nevojshme për nxënësit, të cilët kanë nevojë të vetdijësohen edhe më shumë rreth temës së kursimit.

“Unë pata mundësinë të ndjekur ligjëratën bashkë me nxënësit dhe me të vërtetë rëndësia e kësaj ligjërate ishte mjaft e madhe, sidomos në kohën kur ne po kalojmë në kriza të ndryshme, përfshirë edhe atë energjetike. Andaj nëse këta fëmijë kur të shkojnë në shtëpi kanë me reflektu me këshillat e marra sot, për prindërit është dhurata më madhe nga ta. Falënderoj edhe njëherë KEDS-in, ” përfundoi ai . 

Duke e përdorur energjinë elektrike në mënyrë të përgjegjshme dhe të arsyeshme, si dhe duke ju përmbajtur këshillave të kursimit, ne kontribuojmë që të ketë energji të mjaftueshmë për të gjithë në sistemin elektroenergjetik të vendit, në kohën kur ai është më së shumti i ngarkuar.

Ky bashkëpunim i profesionistëve të KEDS-it dhe shkollave të vendit do të vazhdojë edhe në komuna tjera të vendit.