Rugova bëhet komplet me rrjet të ri elektrik
Rugova tashmë është bërë realitet. Një investim i fuqishëm multimilionësh i KEDS-it dhe Komunës së Pejës bën që pjesa më e bukur e Kosovës të ndriçojë më shumë, më gjatë dhe më mirë.
Inaugurimin e këtij investimi të mirëpritur e kanë bërë Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS-it, z. Alpin Dogan, dhe Kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri së bashku me stafet e tyre menaxheriale. Në gëzimin e kësaj dite nuk mungoi as KFOR-i, sikurse qytetarët dhe biznesmenët e asaj ane.
Udhëheqësit e dy subjekteve që investuan janë shprehur mjaft të kënaqur që dhanë kontributin e madh të tyre në zhvillimin e një nga trevave më turistike të vendit. Ata kanë kujtuar rrugëtimin e vështirë së bashku nga viti 2021, kur u kaluan shumë sfida që të vihet deri te kjo ditë. Por, vendosmëria e të dy institucioneve-KEDS dhe Komunës së Pejës, e bëri të vetën dhe sot Rugova mund të zhvillohet më lehtë dhe më lirshëm.
Aty, tashmë është lëshuar në punë një pjesë e konsiderueshme e linjës së re që gjarpëron buzë rrugës kryesore si linjë nëntokësore deri në Kuqishtë, prej nga ngjitet deri në Bogë dhe Stankaj, në njërën anë, e deri te restorantet në drejtim të Liqenatit, në anën tjetër. Por, ende pa shkuar në Kuqishtë, bën një ndalesë të shkurtër te fabrika e Ujë Rugove, përderisa degëzohet edhe në fshatrat përreth, duke përfshirë në total një linjë të tensionit të mesëm rreth 80 kilometra, më e gjata në vend, dhe ka rreth 50 trafo ne total.
Tashmë shumë kilometra të saj janë në funksion, duke e pensionuar rrjetin e vjetër që ishte në gjendje të rëndë, në shtylla druri që shtriheshin maleve të larta, ku intervenimi ishte shumë i vështirësuar, sidomos gjatë dimrit, për shkak të borës së madhe që bie vazhdimisht aty. Në kohën më të shkurtër të mundshme, ky rrjet i vjetër do të eliminohet.
Aty, gjithçka është e re dhe shumë lehtë e arritshme, pasi është buzë rruge në secilin drejtim dhe degëzim. Qindra familje rugovase do të kenë shërbime shumë më kualitative dhe më të sigurta me energji elektrike. Edhe dhjetëra biznese të asaj ane, kryesisht restorante, hotele e bujtina, gjithashtu.
E njohur si Dalja e Rugovës, kjo linjë tashmë ka disa degëzime dhe nëse ndodhë ndonjë e papritur, atëherë nuk do ta afektojë komplet këtë trevë, por vetëm një pjesë të vogël të konsumatorëve.
Ky është vetëm një nga qindra projektet kapitale që KEDS-i po i implementon përgjatë këtij viti anembanë Kosovës.