Nëse keni nevojë të aranzhoni një lidhje të re me energji elektrike për objektin apo pronën tuaj, atëherë është e rëndësishme që të merrni iniciativë dhe t’i ndiqni hapat e domosdoshëm, që do t’i gjeni të sqaruara në këtë artikull.

Paraprakisht është e rëndësishme të dini kapacitetin (fuqia aktive e njëkohshme) e energjisë që ju nevojitet, si dhe nëse objekti gjendet në zonën tonë të shërbimit.

Çfarë do thotë kjo e fundit? Me fjalë të tjera, kur objekti juaj gjendet në atë territor apo zonë ku veçse është i shtrirë rrjeti distributiv i KEDS.

Mirëpo, a mundet KEDS të zgjerojë rrjetin elektrik nëse një objekt gjendet më larg se 100 metra nga shtylla e fundit e energjisë elektrike, pra, më larg se zona e rrjetit të shtrirë të KEDS?

Nëse konsumatori përmbush njërin nga këto dy kritere: Kërkon energji elektrike me kapacitet më të madh se 15 kW ose rrjeti elektrik i KEDS duhet të zgjerohet për të furnizuar objektin për të cilin një konsumator potencial bën kërkesën, atëherë në të dyja këto raste, aplikimi duhet të bëhet nëpërmjet pëlqimit elektro-energjetik.

Lidhjet e energjisë elektrike nëpërmjet pëlqimit elektro-energjetik janë më komplekse për nga natyra dhe në terminologjinë teknike njihen si kyçje të thella.

Të tilla konsiderohen të gjitha ato lidhje që kanë nevojë për kapacitet më të madh të energjisë elektrike, pra më shumë se 15 kW ose kanë nevojë për zgjerim të rrjetit elektrik, pavarësisht se nevoja e tyre për energji mund të jetë më e vogël se 15 kW.

Në kyçjet e thella mund të përfshihen objektet industriale, komerciale, kolektive, shtëpiake, etj.

Të gjithë ata konsumatorë potencial të cilët dëshirojnë të aplikojnë për kyçje të thella, duhet të bëjnë kërkesë duke u paraqitur fizikisht në sportelet e KEDS.

Për këtë arsye është me rëndësi që t’i paraqitni qartë nevojat tuaja për energji elektrike në kërkesën që ju bëni, sidomos të na tregoni për kapacitetin e energjisë që juve ju nevojitet për të kryer me sukses aktivitetet që ju keni në plan.

Kjo, ngase informacionet që ju jepni, na ndihmojnë që ne t’ju ofrojmë zgjidhjen teknike më të duhur për kyçjen e objektit tuaj.

Cilat janë dokumentet që duhet të keni me vete kur bëni një kërkesë të tillë?

Nevojitet dokumenti identifikues i personit i cili aplikon, ose autorizimi noterial nëse aplikoni për dikë tjetër. Për këto lloj lidhjeje kërkohet edhe projekti elektrik i instalimeve të brendshme të objektit (në të cilin përmblidhet kapaciteti i nevojshëm përfundimtar i energjisë elektrike) për të cilin kërkohet kyçja.

Pasi që të dorëzohet kërkesa në sportelet tona, inxhinierët e KEDS duhet së pari të inspektojnë terrenin, për të vlerësuar mundësitë e kyçjes dhe duke pasur parasysh të dhënat teknike të rrjetit ekzistues, përpilojnë një dokument në të cilin është e përshkruar zgjidhja teknike për kyçjen e objektit i quajtur pëlqim-elektro energjetik.

Para se të tërhiqni pëlqimin elektro-energjetik, ju obligoheni të paguani një faturë në të cilën përfshihet kosto për kapacitetin e kërkuar dhe kosto për shërbimin e kyçjes.

Hapi i fundit është të nënshkruani kontratë për furnizim me njërin nga furnizuesit e licensuar para se objekti juaj të jetë energjizuar përfundimisht.

Çfarë ndodhë nëse konsumatori potencial ka nevojë për kapacitet më të madh të energjisë elektrike, kapacitet ky të cilin pajisjet elektro-energjetike (trafostacionet, linjat elektrike) nuk mund ta ofrojnë?

Në rastet kur pajisjet elektro-energjetike nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për të mbuluar kërkesën energjetike të konsumatorit potencial, ky konsumator obligohet të mbulojë koston e rritjes së kapaciteteve ekzistuese apo në rastet e trafostacioneve të pamjaftueshme mund të zgjedhë të ndërtojë një trafostacion vetëm për nevojat e tij.

Te lidhjet e këtilla investimet e nevojshme për kyçje mbulohen gjithmonë nga ana e personit që ka aplikuar për pëlqim elektro-energjetik.

Kjo nënkupton që aplikuesi mbulon të gjitha kostot e kyçjes dhe materialet e nevojshme që nevojiten gjatë kyçjes së energjisë elektrike.

 

Artikuj të ngjashëm:

Si të aplikojmë për lidhje të re të thjeshtë në KEDS?

Si të bëjmë kërkesë për pëlqim parimor në KEDS?