KEDS të hënën ka filluar me projektin e instalimit të “superpërçuesit” elektrik, përmes së cilit pritet që të zgjidhet problemi i furnizimit me energji elektrike për Malishevën dhe të gjitha fshatrat e kësaj komune, deri në ndërtimin e Nënstacionit nga ana e KOSTT-it, si një zgjidhje e qëndrueshme.

Për instalimin e këtij super përçues-i pari i këtij lloji jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, tashmë janë bërë të gjithë parametrat e paraparë dhe pritet të implementohet në linjën ekzistuese elektrike nga Nënstacioni i Rahovecit në atë të Malishevës. Si i tillë, ky projekt është i një rëndësie të veçantë për rajonin e Malishevës, sepse mungesa e kufizuar e kapacitetit për furnizim nga infrastruktura aktuale, deri më tash nuk i ka plotësuar kërkesat për konsumatorët tanë atje.

Menaxhmenti i KEDS-it ka realizuar disa herë takime me autoritetet komunale të Malishevës lidhur me këtë projekt kapital. Dhe, meqë bëhet fjalë për rreth dy muaj punimesh në këtë linjë të gjatë mbi 15 kilometra, KEDS shfrytëzon rastin të informojë të gjithë konsumatorët e asaj ane se gjatë këtyre punimeve do të ketë ndërprerje të kohëpaskohshme të energjisë elektrike. Të gjitha informatat për këtë do të mund të gjenden të aktualizuara në faqen zyrtare të KEDS-it.

Me instalimin e këtij super përçuesi pritet të mos ketë më sfida të furnizimit me rrymë për këta banorë. Krahas tij, KEDS ka në implementim e sipër në këtë komunë edhe 30 projekte tjera të cilat do të avancojë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, duke ofruar shërbime më kualitative dhe më të sigurta.

Vetëm përgjatë këtij viti, KEDS pritet të realizojë 250 projekte të linjave të tensionit të ulët dhe atij të mesëm anembanë Kosovës, të cilat kapin një vlerë prej disa dhjetëra miliona eurosh.