Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë inicioi takim me KEDS, për të folur në lidhje me sfidat e bizneseve në lidhje me distribuimin me energji elektrike. Në takim nga KEDS ishin të pranishëm: Drejtori për Shërbime me Konsumatorë, Sabri Tërnava së bashku me Drejtorin e Operimeve të Sistemit Bujar Jupaj, si dhe Menaxherin për Shërbime me Konsumatorë, Blerton Mustafa.

Ndër pikat kryesore të diskutimit ishin aplikimet e bizneseve për rritje të kapaciteteve të trafove, sfidat me pronësinë e tokës për vendosjen e trafove, afatet për kërkesat për Pëlqime Elektroenergjetike për Prosumatorë për subvencionim të paneleve solare, afatet për miratimin e aplikimeve të prodhuesve të energjisë diellore, etj.

Përfaqësuesit e kompanisë theksuan se afati për miratimin e aplikimeve të prodhuesve të energjisë diellore është 7 ditë, ndërsa vonesat vinë si pasojë e mungesës së përputhjes së kapacitetit të ofruar nga rrjeti dhe kapacitetit të miratuar nga ZRRE. Për këtë arsye, përfaqësuesit e KEDS këshillojnë bizneset që të aplikojnë për rritje të kapacitetit para se të kërkojnë lidhjen në rrjet, në mënyrë që të evitohen vonesat.

Tash e një kohë KEDS ka krijuar linja të veçanta për konsumatorët biznesorë, në mënyrë që ata të kryejnë të gjitha procedurat që u nevojiten pa pasur nevojë të presin në radhë. Përpos kësaj, konsumatorët komercialë mund të shkruajnë edhe përmes e-mailit të krijuar enkas për ta: bizline@keds-energy.com.