Për këto 9 vite sa edhe janë bërë që nga themelimi i KEDS Academy, bashkëpunimi me mbi 20 shkolla teknike të mesme nga e gjithë Kosova, ka qenë pjesë kyçe e programit.

Nga këto bashkëpunime, mbi 300 nxënës janë pranuar dhe trajnuar në këtë program dhe shumica e tyre edhe janë punësuar në KEDS.

Për këtë numër të revistës ENERGY, kemi biseduar me drejtorët e disa nga këto shkolla për të dëgjuar përshtypjet e tyre rreth bashkëpunimit me KEDS Academy dhe rezultatet dhe komentet që ata i kanë marrë nga nxënësit e tyre.

Po ashtu, me krerët e këtyre shkollave kemi diskutuar edhe për rëndësinë dhe nevojën e programeve të tilla si KEDS Academy, për avancimin e dijenive praktike të nxënësve si dhe punësimin e tyre në tregun vendor.

Shkolla e Mesme Profesionale Teknike “Mehmet Isai”, Gjilan

Kjo shkollë bashkëpunon me KEDS Academy për 6 vite, për këtë bashkëpunim flet drejtoresha e shkollës, znj. Lumnije Tahiri. Sipas drejtoreshës Tahiri, ndërlidhjet e drejtimeve të shkollave profesionale me vende konkrete të punës dhe biznese, siç ndodhë në rastin e KEDS Academy, ku instaluesit elektrik e kanë një derë të hapur për t’u punësuar dhe shkathtësuar në profesione përkatëse, janë të domosdoshme për profilet e shkollave teknike.

Për më shumë ajo përmend disa nga përfitimet e vërejtshme që ka sjellë programi të nxënësit e shkollës së saj. “Për çdo vit ata nxënës të cilët pranohen në programin KEDS Academy aftësohen edhe më tutje profesionalisht, mandej kur të kemi nevojë për ndonjë riparim të rrymës në shkollë, të njëjtit nxënës shpesh vijnë për të na ndihmuar. Kjo është kënaqësi e madhe për ne,” përfundon ajo.