Sot patëm kënaqësinë të presim profesoreshën nga FIEK, znj, Vjollca Komoni, njëherit bashkëthemeluese e iniciativës "Gratë në Energji dhe Miniera", në një takim me disa nga inxhinieret e KEDS-it dhe KESCO-s.

Ajo foli për rrugëtimin e saj mbi 40-vjeçar, si eksperte e elektro-energjetikës, si një grua që vazhdoi studimet post-diplomike jashtë vendit, duke vazhduar kontributin në vendin tonë, pavarësisht rrethanave të vështira të kohës.

“Kur ju punoni, hulumtoni dhe e njihni profesionin mirë, nuk ka askush që mund t’ju ndalë”, ishte mesazhi i saj drejtuar inxhiniereve tona, shumë nga të cilat u përfshin në diskutim përmes pyetjeve dhe komenteve.

Me sfond të gjerë në mësimdhënie, si dhe në zbatimin e projekteve dhe hulumtimeve në fushën e energjisë, profesoresha na dëshmoi se me këmbëngulje dhe punë mund t’i eliminojmë të gjitha barrierat në rrugën drejt suksesit.

Falënderojmë Women in Energy and Mining që organizuan këtë takim, në kuadër të Muajit të Historisë të Grave.