Në kuadër të implementimit të bashkëpunimit në mes të KEDS-it dhe Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës, profesorët e UP-së po mbajnë ligjërata me studentët e KEDS Academy 11.

Ligjërata që u mbajt së fundi ishte “Energjitë Alternative” nga profesori Naser Sahiti.

Në ligjëratë fillimisht u diskutua për energjinë e ripërtëritshme, pompat termike, gjendjen globale në lidhje me konsumin e energjisë dhe sfidat drejt tranzicionit energjetik. 

Në lidhje me ligjërimin e tij për herë të parë në programin KEDS Academy, profesori shtoi:

“Konsideroj që një program i tillë do të rezultojë në kontribut domethënës në aspektin e përgatitjes profesionale të studentëve.

Në këtë aspekt e vlerësoj kontributin e KEDS-it në përgatitjen e kuadrove, i cili është në funksion të krijimit të një sistemi të qëndrueshëm energjetik.

Përderisa fundjavën e kaluar, studentë të Fakultetit të Inxhinierisë, Ekonomisë dhe Juridikut dëgjuan me zell ligjëratën e profesoreshës Majlinda Daci mbi ndotjen e mjedisin dhe qëndrueshmërinë mjedisore, respektivisht ndikimin e faktorëve kimikë në ndotje dhe eliminimin e tyre në masë për një ambient të pastër. 

“Me studentët e KEDS Academy po kryhet për herë të parë një trajnim i tillë në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të UP-së dhe KEDS-it. Prej katër moduleve që do të ligjërohen, në trajnimin tim “Proceset e gjelbra për qëndrueshmëri”, studentët do të mësojnë edhe për ndryshimet klimatike, ngrohjen globale dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”, thotë profesoresha Daci.

Njohuritë e fituara nga këto ligjërata e trajnime, studentët do të mundë t’i transmetojnë në zhvillimin aktual në Kosovë, si në dekarbonizim, mitigim dhe adaptim të tyre ndaj ndryshimeve klimatike.